nga Fadil Kraja ÇVESHJA... Jeta e përditëshme në një kooperativë bujqësore, diku, poshtë malit të Zefjanës. E ashtuquajtura "lumturi socialiste" nuk është tjetër veçse një fasadë përtej se cilës shtyn ditët mjerimi dhe skamja. Ata që e trumbetojnë këtë "lumturi", ata që e kanë ngritur fasadën e gënjeshtërt, ca Koço dhe Zigurë, të ardhur nga dikah, nga Jugu, si zakonisht, bëjnë ligjin në kooperativë. Një ligj i egër dhe i pashpirt. Dhe natyrisht kanë gjetur edhe lakejt e tyre vendas që i ndihmojnë. E gjithë kjo skuadër e pështirë flet për moral, kur vetë është e pamoralshme. Bën zhurmë kundër korrupsionit. Flet për patriotizëm e burrëri kur vetë jeton me frikën në palc dhe me gënjeshtrën në shpirt. Nje bandë përtacësh e pijanecësh, një bandë horash në kuptimin e plotë të fjalës mban nën thundrën e hekurt, me të ashtuquajturën vigjilencë dhe diktaturë të proletariatit, masën kooperativiste të rrënuar dhe në varfëri të tejskajshme, e privuar nga çdo gjë, nën kamxhikun e frikës që të rri vazhdimisht mbi kokë. Në këtë gjendje, përtej fasadës, e vetmja armë që u ka mbetur njerëzve është humori, satira e mprehtë fshatare, farsa dioniziake. Kin Buba, një beqar simpatik, i varfër te s’ve, por me një botë të madhe shpirtërore, me shakatë dhe gazmoret e tij, me qyfyret dhe skenat tragjikomike që krijon, çvesh lakuriq "lumturinë socialiste", heq fasadën e gënjeshtërt dhe zbulon të vërtetën plot mjerim, hipokrizi dhe veprime imorale dhe çnjerëzore. Personazhe të tillë si Kini, me shokët e tij, Lecin, Tushin, Tomën apo Dufin janë ata, heronjtë e vërtetë, janë ata disidentët e vërtetë që çjerrin maska, që akuzojnë, që paralajmërojnë. Janë ata që demaskuan pa mëshirë farsën socialiste, me gjoja naivitetin e tyre, të shtirë si gjysëm budallenj, por në të vërtetë mosketierë që meritojnë simpati dhe respekt. Kjo është tema, kjo është ideja kryesore e romanit "Speciale...me spec", që autori Ndrek Zalli u ofron lexuesve. Një humor klasik verior, ngjarjet rrjedhin njëra pas tjetrës, dhe ti, si lexues, ndjek fatin e Kinit me shokë, duke qeshur, duke urryer dhe duke ndjerë të pështirën në gjoks, kur sheh se cilët të kanë nxirë jetën për gjysmë shekulli, dhe cilët kanë patur guximin të luftojnë tiraninë me armën e humorit e të satirës, armë e pavdekshme, vret dhe përvëlon më shumë se plumbi. Sepse çvesh, demaskon, paralajmëron. Dhe kur mendon se autori këtë libër të parë të tij e ka shkruar në kushtet më të vështira të jetës së tij, sepse fati i keq, një aksident e ka mbërthyer në një karrocë paraplegjikësh, kur mendon këtë pra, vlera e romanit shtohet... shtohet respekti për autorin, shtohet simpatia për Kin Bubën, jo vetëm atë të dikurshmin e romanit, por edhe për Kinët e sotëm dhe ata që nuk. do të mungojnë edhe në të ardhmen.. Ju ftoj ta lexoni këtë roman, sepse ju siguroj se do të ndjeni kënaqësi të veçantë. Filloni ta lexoni, sepse pastaj nuk do ta hiqni nga dora deri në fund. Fadil Kraja